Intervista ekskluzive/ Avokati i emigracionit Both: E pamundur t’i jepet fund Lotarisë Amerikane. Trump mund të thotë shumë gjëra, por ligji vendos
Propozimi i presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund programit të Lotarisë Amerikane ka lënë në ankth mijëra të interesuar që dëshirojnë të jetojnë në “tokën e premtuar”. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, avokati amerikan i emigracionit, Kieran Andrew Both sqaron opinionin publik duke theksuar se mbyllja e lotarisë është diçka e pamundur. Sipas tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë mund të thotë shumë gjëra, por në Shtetet e Bashkuara është ligji ai që vendos. Më tej, avokati tregon se në bazë të statistikave, brenda 5 vitesh mbi 10 mijë shqiptarë kanë fituar të drejtën për të jetuar në Amerikë, falë aplikimeve në këtë program. Ndërkohë, Both nënvizon se arsimi i mesëm apo përvoja e punës janë dy nga kriteret bazë për t’u shpallur fitues e paralajmëron të interesuarit që të kenë kujdes gjatë aplikimit në disa pika të caktuara.
A do t’i jepet fund programit të Lotarisë Amerikane pas propozimit të presidentit Donald Trump?
Presidenti Donald Trump mund të thotë shumë gjëra. Propozimi i presidentit ka shkuar për t’u shqyrtuar nga Kongresi, por në Amerikë është ligji ai që vendos. Është e pamundur që programi i Lotarisë Amerikane të shkojë drejt mbylljes.
Çfarë është programi i Lotarisë Amerikane?
Programi i Vizave të Diversitetit ose DV u themelua nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në 1990 dhe cakton 50,000 viza të përhershme për individë nga vendet me norma të ulëta të emigracionit në Shtetet e Bashkuara. Çdo vit, vendet e përzgjedhura identifikohen nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Shtetit, bazuar në një analizë të numrit të njerëzve nga çdo shtet i huaj, që kanë marrë statusin e rezidentit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara gjatë pesë viteve të fundit. Në 2015-ën, që është dhe viti i fundit ku janë të disponueshme statistikat, afro 14.5 milionë njerëz nga e gjithë bota aplikuan për 50.000 vizat e vëna në dispozicion.
Sa është numri i shqiptarëve që kanë fituar lotarinë këto vitet e fundit?
Bazuar në statistikat më të fundit për fituesit shqiptarë të Lotarisë Amerikane rezulton se në vitin 2011 ka pasur 1469 fitues, në 2012 kanë fituar 1508 shqiptarë, në 2013 ka pasur 1520 fitues. Ndërkohë në vitin 2014 numri i fituesve pothuajse është dyfishuar duke arritur shifrën 3289, kjo edhe se numri i kërkesave ka qenë i lartë. Ndërsa në vitin 2015 plot 2946 shqiptarë kanë fituar Lotarinë Amerikane. Në 2015-ën kemi pasur plot 198, 625 aplikime nga vendi juaj për këtë program. Pra, brenda 5 vitesh, mbi 10 mijë shqiptarë kanë fituar të drejtën për të jetuar në Amerikë nga ky program.
Cilat janë disa prej kritereve kryesore që aplikantët duhet të përmbushin për të aplikuar në DV-2019?
Çdo aplikant në programin DV-2019 nga Shqipëria duhet të plotësojë kërkesat për arsim apo përvojë pune të përcaktuara. Kandidati duhet të ketë të paktën një arsim të mesëm ose ekuivalent të tij, i definuar si përfundim i suksesshëm i një kursi 12-vjeçar të arsimit fillor dhe të mesëm. Ose kandidati duhet të plotësojë dy vjet përvojë pune brenda pesë viteve të fundit në një profesion, që kërkon të paktën dy vjet trajnim ose përvojë pune për të kryer. Departamenti i Shtetit do të përdorë bazën e të dhënave ‘ONet Online’ të Departamentit Amerikan të Punës për të përcaktuar përvojën kualifikuese të punës.
A kualifikohen të gjitha profesionet për t’u përzgjedhur?
Jo të gjitha profesionet kualifikohen për programin e Lotarisë Amerikane. Nëse aplikanti nuk i plotëson kërkesat për arsimim ose përvojë pune, do të skualifikohet në kohën e intervistës për vizë dhe nuk do të lëshohen viza për aplikantin ose anëtarët e familjes.
Cilat janë disa nga gabimet që bëjnë aplikuesit gjatë regjistrimit?
Formulari i regjistrimit është i thjeshtë dhe i kuptueshëm. Shumë aplikantë pa arsim të mesëm nuk kualifikohen, për shkak se nuk kanë përvojën e kërkuar të punës. Është për të ardhur keq nëse një person fiton lotari dhe pastaj nuk mund ta marrë vizën sepse nuk është i kualifikuar. Përveç kësaj, nëse një person paraqet më shumë se një aplikim gjatë një viti do të skualifikohet.
Ku duhet të tregojnë më tepër kujdes kandidatët?
Pjesëmarrësit duhet të jenë të sigurt se informacioni i tyre biografik është i saktë. Përveç kësaj, fituesit duhet të kenë një adresë të vlefshme email-i.
Kur janë të martuar, si duhet të aplikojnë të interesuarit?
Nëse aplikuesi është i martuar ligjërisht, duhet ta përfshijë në aplikim bashkëshortin/en, pavarësisht rrethanave. Bashkëshorti duhet të jetë pjesë e aplikimit edhe nëse çifti është i ndarë aktualisht, përveçse në rastet kur divorci bëhet me urdhër të gjykatës. Secili bashkëshort mund të paraqesë aplikimin, nëse secili përmbush kërkesat e përshtatshmërisë. Nëse secili prej bashkëshortëve zgjidhet, tjetri ka të drejtë të aplikojë si një derivat i varur. Të gjithë fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç duhet të jenë të listuar në aplikim gjithashtu.
Si bëhet përzgjedhja e fituesve që u jepet e drejta për të vijuar me intervistën?
Të gjitha aplikimet e marra nga secili rajon janë të numëruara në mënyrë individuale. Në fund të periudhës së hyrjes, një kompjuter do të përzgjedhë rastësisht nga të gjitha aplikimet e marra për çdo rajon gjeografik. Të gjitha regjistrimet e pranuara brenda secilit rajon gjatë periudhës së aplikimit do të kenë shanse të barabarta për t’u zgjedhur. Kur një kandidat është përzgjedhur, ai do të njoftohet nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistrimit duke filluar nga 1 maji 2018, në faqen e internetit të E-DV.
Si bëhet kontrolli mbi aplikimet?
Ky proces është jashtëzakonisht i plotë dhe mund të zgjasë shumë muaj. Ekzaminimi i sigurisë përfshin procedura të shumta, duke përfshirë të dhënat biometrike (shenjat e gishtërinjve dhe fotot) për të konfirmuar identitetin e individit duke përdorur njohjen e fytyrës dhe teknologjitë e tjera; kontrollet e emrave dhe shenjave të gishtave. Madje, bëhet identifikimi për çështjet potenciale kriminale ose të sigurisë kombëtare dhe kontrolle kundër terrorizmit, krimit të organizuar apo bandave. Në rrethana të caktuara, një “opinion Këshillëdhënës i Sigurisë” mund të kërkohet nga selia e Departamentit të Shtetit përpara se të lëshohet viza. Përveç kësaj, të gjithë fituesit e Lotarisë së DV duhet të kalojnë intervistën dhe përsëri kontrollohen për pranueshmëri përmes pyetjeve të kujdesshme. Nëse ka ndonjë shkelje, viza e kandidatit mund të mohohet.
Cilat janë tarifat që duhet të paguajnë aplikantët?
Nuk ka pagesë për të aplikuar në këtë program. Nëse kandidati aplikon për një vizë të diversitetit, të gjitha pagesat e kërkuara për vizë duhet të paguhen në kohën e aplikimit direkt në arkëtarin konsullor të SHBA. Ky i fundit do të lëshojë një faturë qeveritare të SHBA-ve për pagesë. Aplikantët nuk duhet të dërgojnë para për pagesat e DV-së përmes postës, “Western Union” ose ndonjë shërbimi tjetër të shpërndarjes nëse ata aplikojnë për një vizë emigrimi në një ambasadë ose konsullatë të SHBA-ve.
Çfarë ndodh me fituesit pasi ata fillojnë një jetë të re në Amerikë?
Fituesit e Lotarisë do të marrin vendbanimin e përhershëm të ligjshëm të quajtur “Green Card” në Shtetet e Bashkuara. Ata kanë të drejtë për të gjitha përfitimet dhe privilegjet e atij statusi. Karta e gjelbër lejon personin të hyjë në Shtetet e Bashkuara pas udhëtimit jashtë vendit. Sigurisht, ata janë përgjegjës për pagimin e taksave dhe duhet të njoftojnë USCIS nëse ata ndryshojnë adresën e tyre.
Nëse individi jeton në Shtetet e Bashkuara, si mund të marrë autorizim për punë?
Një kartë e gjelbër (Formulari I-551, letër e përhershme rezidente) është dëshmi e autorizimit për punësim. Shumicës së individëve u caktohet një numër i sigurimit social kur merr një vizë emigrimi. Punëdhënësit e mundshëm mund të përdorin informacionin në ato karta për të verifikuar pranueshmërinë e punësimit.
Si procedohet për të marrë shtetësinë amerikane?
Një person që disponon për 5 vjet një “Green Card” apo kartë jeshile mund të aplikojë për shtetësinë. Por ekzistojnë edhe kërkesa specifike për raste të tjera.
GSH.al
Leave a Reply