Mes të fejuarit dhe Amerikës. Ajo zgjodhi..

Tetori është muaji i ëmbël i shqiptarëve. Është “Sweet October”. Nuk ka lidhje me dashurinë, as me tetorin rozë. Tetori i ëmbël ka lidhje vetëm me lotarinë amerikane dhe dashurinë për të

Të gjithë mezi presin fillimin e këtij muaji për të provuar fatin e tyre e për t’u arratisur nga ky vend.
Për ta kuptuar këtë, nuk është e vështirë. Mjafton të shikojmë numrin e shqiptarëve që aplikojnë dhe atyre që largohen si fitues.

Në tetorin e lotarisë nuk flitet për asgjë tjetër. Biseda më e zakonshme e dy njerëzve, përfshin patjetër pyetjen: Hë, a e hodhe lotarinë?
Po kështu, edhe pyetjet më të shpeshta në frrjetet sociale, janë pikërisht për të. Sapo jepet ndonjë njoftim për këtë proces, të gjithë janë sy e veshë për të kuptuar se çfarë po ndodh, ndërsa komentet vërshojnë lumë.
As mediat nuk i shpëtojnë dot këtij ndikimi. Lajmet për lotarinë janë më të lexuarat, jo vetëm gjatë tetorit, por gjatë gjithë vitit. Gjërat janë thënë e stërthënë, rregullat janë diktuar me kohë, por fakti që flitet për lotarinë, nuk e le indiferente asnjë mendje kurioze.
Nëse do të kishte ndonjë statistikë, me siguri që këto lajme do t’i rendiste si më të lexuarat dhe që gjenden në çdo media, print apo online. Për këtë po ju tregoj një rast personal.
Para disa ditësh u botua historia e Anës, vajzës që rrëfeu se si i ndryshoi jeta pasi iku në Boston me lotari. Nuk kishte mbetur portal pa e marrë, disa duke e ndryshuar titullin e të tjerë duke e shfaqur ndryshe. Mes tyre kishte edhe komente, aspak pozitive, pavarësisht se historia ishte e bukur. Shoqet e Anës në Shqipëri, ia kishin çuar të gjitha linqet për shkrimin. Duke parë këto shkrime, ajo e kishte ndjerë veten keq.
Ia sqarova që ky ishte muaj i nxehtë dhe asgjë nuk ikte pa u vënë re. I sugjerova që të qetësohej, pasi ata që e shanin, me siguri e kishin zili. Duhet të ishin patjetër aplikues të pafat.

E vërteta është se ka shumë persona që e kanë hedhur dhe nuk janë kualifikuar. Ka pasur nga ata që e kanë hedhur 20 vjet rresht. Ai person është rritur, ka ndryshuar, është bërë më fëmijë, ka ndryshuar disa punë, ka ndryshuar gjithçka, përveç dashurisë së tij për Amerikën. Edhe pas kaq vjetësh, nuk ndjehet i zhgënjyer. “Do ta hedh gjithmonë, sa kohë të ketë lotari”, thotë Miki.
Po kështu edhe Besa. Ka aplikuar për 8 vjet rresht. Që kur ishte studente. Sot është e martuar dhe ka një vajzë të vogël. Punon si mësuese në një qytet verior dhe ka mbaruar dy universitete, por sërish dëshiron të largohet. Madje lutet për këtë.

Unë vetë jam një aplikuese pafat. E kam hedhur për 3 vjet. Madje shkova në Korçë, pasi mendova se mos më rritet shansi. Asgjë nuk ndodhi. Herën e parë, zhgënjimi ishte total. Sa e madhe ishte dëshira për të ikur, atje në tokën e ëndrrave, aq i madh u bë edhe zhgënjimi. Më dukej se vetëm atje do iu jepja udhë ëndrrave time. Pastaj u mësova me mosfitoren.

Ndërsa, Nida është nga ato vajza që ka dashur gjithmonë të largohet nga Shqipëria. Nuk ka rëndësi se ku, mjafton që të jetë vend i huaj. “Do të shkoja kudo, ku më jepet mundësia, por vetëm SHBA-ja ka lotari”, thotë ajo, teksa shpjegon arsyet pse e tundon ai vend i largët, ai mbledhës kombesh e njerëzish.
“Lotaria hidhet prej vitesh dhe është bërë si traditë. Shumë njerëz kanë fituar, kanë shkuar atje dhe ia kanë dalë. Unë kam shumë njerëz të tillë nga fisi. Kjo tregon se lotaria është një mundësi reale. Nuk është ëndërr që të vë në gjumë, është ëndërr që bëhet realitet”, thotë ajo.

Po ashtu ka njerëz që nuk e kanë provuar kurrë. Beta tregon se nuk e ka pasur ëndërr. Nuk ka tentuar të largohet drejt atij vendi të largët, përtej Paqësorit. “Nuk kam pasur kurrë besim se do të më dalë, prandaj s’kam tentuar”, thotë ajo. Ndoshta edhe ka gabuar, pasi fati i saj siç duket nuk është në Shqipëri. Këto janë ditët e fundit këtu, pasi do të largohet drejt një vendi evropian.

Amerika ka marrë shumë shqiptarë, të rinj e të vjetër, beqarë dhe familjarë me disa breza, me shkollë apo pa arsim dhe vetëm me diplomë false. Ka pasur raste që e kanë fituar njerëz nevojtarë, ashtu si edhe njerëz që ndoshta këtu ishin më mirë se në Amerikë. Aq sa kur u ka dalë lotaria, të shkojnë apo jo, ka qenë një sfidë më vete. Ky është rasti i Ledit. Ajo e hodhi e shtyrë nga shoqëria. Pas disa kohësh u fejua dhe filloi të bënte plane me të dashurin e zemrës. Por, një ditë prej ditësh, zbuloi lajmin e mirë për shumëkënd, por jo aq i këndshëm për të. Lotaria e vuri mes dy zgjedhjesh, mes të fejuarit dhe Amerikës. Ajo zgjodhi këtë të dytën.
E kush mund t’i thotë jo Amerikës?

Sepse ikja në Amerikë është një histori e hershme. Na lidhin vite të tëra e histori të ndryshme njerëzore. Shqiptarët i gjen kudo nëpër botë, jo vetëm në Amerikë. Por, ama njerëzit më të pasur prej andej janë kthyer. Dikur sillnin florinj. Gjyshi im ka qenë prej tyre. Erdhi prej andej dhe bleu tokën, që ka mbetur sot djerrinë. Në të tillë mënyrë janë pasuruar shumë njerëz, pasi të larguarit nuk janë kursyer për të afërmit. Amerika është jo vetëm vendi i ëndrrave, por edhe vendi i parave.

Po ashtu, edhe fakti që lotaria është përzgjedhje rastësore, iu jep më shumë besim shqiptarëve. E ndiejnë, që po trajtohen si të barabartë dhe mendojnë se e njëjta gjë do t’u ndodhë edhe kur të shkojnë atje.

Ndaj, ikni sepse Shqipëria nuk është vendi i të barabartëve. Nuk i jepet mundësia kujtdo. Ka varfëri, korrupsion, nepotizëm.
Ikni o njerëz dhe provoni veten! Sa shqiptarë të suksesshëm kemi në botë? Shumë. Pse? Sepse iu është dhënë një mundësi.

 

Sofi mbaroi infermierinë. Kishte tre gjuhë të huaja dhe ishte shumë e zonja. Mbaroi studimet dhe kërkoi punë. Mes shumë vështirësish, i krijuan hapësirë në një fshat të largët e të thellë të Dibrës. Por më pas i nxorën aq probleme sa u detyrua të largohet. Erdhi sërish në Tiranë dhe iu fut gjermanishtes. Sot ndodhet në Gjermani dhe është një prej infermiereve të shkëlqyera.
Ndaj ikni dhe tregoni veten! Këtu nuk ju lë kush. Vetëm mos harroni kurrë prej nga ikët! Kjo është toka juaj, Shqipëria./Dritare.net


Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *