Raporti i fundit i Byrosë së Regjistrimit të Popullsisë tregon se popullsia e Amerikës po plaket dhe po bëhet gjithnjë e më e larmishme. Ky ndryshim demografik është më i dukshëm në Hjuston të Teksasit, qyteti me rritjen më të shpejtë të komuniteteve pakicë në të gjithë vendin.
Hjustoni, dikur me popullsi kryesisht anglo-saksone dhe hispanike, sot mban titullin e qytetit “më të larmishëm” në Shtetet e Bashkuara. Për shumë banorë lokalë në fortesën e dikurshme të konservatorëve të Teksasit, titulli i ri është bërë një burim krenarie.
“Të gjithë janë të mirëseardhur këtu. Ky është vendi ku duhet të vini.”
Pas zgjedhjeve të vitit 2016, kryebashkiaku demokrat i Hjustonit shpalli Hjustonin një “qytet mikpritës” për emigrantët dhe refugjatët. Pastori Lee Hsia, një emigrant kinez i cili u vendos në Hjuston kur ishte shtatë vjeç, thotë se qyteti, i rrethuar gjeografikisht nga ajo që njihet si brezi biblik konservator i venndit, në vitet e fundit është bërë një qytet “organikisht mikpritës”.
“Bibla flet për mirëpritjen ndaj emigrantëve, të huajve dhe refugjatëve, prandaj mendoj se kjo është e natyrshme për banorët e Hjustonit. Mendoj se ne jemi më mikpritës, ndoshta për shkak se jemi qyteti më i larmishëm në Teksas”.
Të dhënat e reja të Byrosë amerikane të Regjistrimit të Popullsisë tregojnë se popullsia e bardhë amerikane është duke u plakur. E njëjta gjë po ndodh edhe kontenë e Harris-it në Hjuston.
“Anglo-Saksonët 63-vjeçarë nuk do të lindin më fëmijë. Pra, asnjë forcë në botë nuk do ta ndalë rritjen e popullsisë afrikano-amerikane, aziatike, ose latine dhe pakësimin e popullsisë së bardhë në Hjuston, Teksas apo në Amerikë në shekullin e 21-të. Asgjë në botë nuk mund ta ndalë këtë.”
Por Klineberg e pranon se ndryshimet demografike janë të vështira për popullsinë e bardhë që vazhdon të plaket, veçanërisht ata me nivel më të ulët arsimimi, pasi ata po ndeshen me zhdukjen e vendeve të tyre të punës.
“Çdo komunitet po sheh një rritje të shtresës së mesme dhe shtresës së ulët, njëkohësisht. Dhe në pikëpyetje është pikërisht qëndrueshmëria e shtresës së ulët të Hjustonit dhe të Amerikës në shekullin e 21-të”.
Por, brezat e rinj të të gjitha racave dhe kombësive në Hjuston, e shohin me një sy tjetër larminë e qytetit.
“Njerëzit këtu janë mësuar me larminë, por po të shkoj në qytete më të vogla të Teksasit, më homogjene, mund të përballem me diskriminim ndoshta edhe thjeshtë për shkak të veshjes sime,” thotë një banor.
“Ne kurrë nuk ishim të ndarë në zona vetëm hispanike apo në zona të grupeve të tjera këtu; gjithmonë ishim pak a shumë pjesë e një grupi të vetëm,” thotë një banore.
Sipas raportit të Byrosë së Regjistrimit të Popullsisë, komuna e Harris-it ka patur rritjen më të madhe të popullsisë hispanike dhe asaj afrikano-amerikane në mbarë vendin./VOA
Leave a Reply